Departamenti i Biologjisë (DB) është i vetmi institucion, më i madhi dhe më i hershmi në gjithë sistemin e arsimit të lartë shqiptar (publik dhe privat), me ndikim të rëndësishëm në mësimdhënie dhe punë kërkimore në shkencat biologjike në Shqipëri. Me një histori themelimi, që niston në vitin 1947, me krijimin e Institutit të Shkencave dhe më pas si pjesë e Universitetit të Tiranës (1957), DB ka një trashëgimi 75 vjecare arritjesh dhe suksesi. Për më shumë shih Historiku i Shkencave Biologjike në FShN, UT - Vepra dhe Njerëzit (2019). Sot DB është i përbërë nga pesë Grupe Mësimore-Kërkimore: Biologji Molekulare, Botanikë, Zoologji-Ekologji, Gjenetikë-Mikrobiologji, Biokimi-Fiziologji.
Misioni i DB është studimi i larmisë së jetës në Tokë, nga sjellja e molekulave te dinamika e qelizave, organizmave, popullatave, dhe nderveprimeve të sistemeve biologjike me planetin tonë, përmes një përqasjeje ndërdisiplinore. I ngritur mbi një histori suksesi të një kërkimi shkëncor të nivelit të lartë të kryer nga stafi dhe studentët, ai është pararojë e kërkimit, mësimdhënies dhe politikave në shkëncat biologjike dhe ato të zbatuara, nga biologjia molekulare, shkencat mjedisore dhe ato të edukimit. DB siguron një përgatitje të gjithanshëme për të përgatitur biologë specialistë të së ardhmes për të zgjidhur sfida botërore si pandemitë globale, pasojat e ndryshimeve klimatike, kërcënimet ndaj biodiversitetit, dhe kuptuar mekanizmat molekularë të sëmundjeve kërcënuese për shëndetin e njeriut, si kanceri, dhe prishjes së homeostazës nga ndikimi i faktorëve epigjenetikë, si pjesë e gjetjes së terapive shëruese. Njëherazi, të dhënat e studimeve biologjike janë sot një pjesë e rëndësishme për shkëncën e përpunimit të të dhënave (data science), duke i dhënë biologjisë një vend shumë të rëndësishëm në politikat e parashikimit të rrezikut në shëndetin human dhe mjedisor.
DB kryen kërkim shkencor dhe mësimdhënie në shkencat biologjike, jo vetëm brenda FShN, por edhe në fakultete të tjera. Në ciklin e parë, DB ka zhvilluar në vite Programin e studimit Bachelor në Biologji (180 kredite). Prej vitit akademik 2022-2023 DB zhvillon gjithashtu Programin e dyfishtë bachelor (180 kredite në gjuhën angleze) në Shkencat Natyrore dhe Mjedisore/Natural and Environmental Sciences, në bashkëpunim me Universitetin Tuscia, Itali. Në ciklin e dytë DB është përgjegjës për 3 diploma master shkencor nga 120 kredite secila: Mësues i Biologjisë në AML, Biologji Molekulare, dhe Biologji e Mjedisit. Tradicionalisht DB ka patur të drejtën e vetme në Shqipëri për kualifikimin pasuniversitar dhe atë të vazhduar në shkencat biologjike, përfshirë dhe mësuesinë e biologjisë në AML; po ashtu edhe për organizimin e doktorimit dhe mbrojtjes së Doktoratës (PhD) në të shkencat biologjike, përfshirë edhe për shqiptarë të trojeve, por dhe më gjerë. Në vijim të kësaj tradite, duke filluar nga viti 2022, brenda shkollës së Doktoratës në Shkencat e Natyrës, DB udhëheq doktorime në nënfushën e Shkencave Biologjike, me/pa shkëputje nga puna, me tre drejtime: Biologji Molekulare, Biologji e Ruajtjes dhe Edukim Biologjik. Krahas kësaj, në përputhje me kërkesat dhe aktet në fuqi, në DB shqyrtohen paraprakisht në shkallë vendi dosjet për titujt akademikë (Profesor i Asociuar dhe Profesor) për kandidatë të doktoruar në shkencat biologjike, nga Institucionet e Arsimit të Lartë (IAL) në vend dhe më gjerë.
Programet e studimit ofrohen në bashkëpunim të ngushtë edhe me Qendrën për Kërkimin e Florës dhe të Faunës (QKFF), po pranë FShN, UT, e përbërë nga Muzeu i Shkencave të Natyrës (MShN), Herbari Kombëtar (HK) dhe Kopshti Botanik i Tiranës (KBT), institucione unikë në vend, po aq të hershëm sa dhe DB, me karakter kërkimor, mësimor dhe edukues. Qëllimi i tyre është studimi i florës dhe faunës së Shqipërisë, grumbullimi, ruajtja dhe nxjerrja në pah e vlerave përkatëse (kryesisht llojet e rralla dhe të kërcënuara), nëpërmjet koleksioneve apo ekspozicioneve tërheqëse (jashtë habitatit natyror - ex situ), përkatësisht në MShN (të balsamosura), KBT (në gjendje të gjallë) dhe HK (në gjendje të tharë). Për zhvillimin normal të procesit mësimor, DB bashkëpunon rregullisht edhe me departamente të tjerë në FShN, me fakultete në UT, si dhe të tjerë punonjës akademikë me kohë të pjesme apo të ftuar nga IAL të tjera brenda dhe jashtë vendit. Përveç tyre, DB në vite ka patur bashkëpunime me departamente homologe në IAL të ndryshme vendase, me drejtori ministrish dhe institucione varësie përkatëse, me institucione jo publike, organizma jo qeveritare etj.; ka patur shumë bashkëpunime dhe shkëmbime ekspertësh dhe studentësh me universitete dhe institucione të tjera në rajon, Europë dhe më gjerë.