Departamenti i Matematikës së Aplikuar ofron programet e studimit:
1. Program i ciklit të parë “Bachelor” në “Inxhinieri Matematike & Informatike” (3 vite akademike, 180 kredite)
2. Program i ciklit të dytë “Master i Shkencave” në “Inxhinieri Matematike &Informatike” (2 vite akademike, 120 kredite)
3. Program i ciklit të dytë “Master Profesional” në “Inxhinieri Matematike & Informatike” (1 vit akademik, 60 kredite)
4. Program i ciklit të tretë “Doktoratura” në drejtimet:
• Metodat probabilitare, statistike dhe Metodat e analizës numerike
• Kërkime Operacionale
Ky departament mbulon lëndët e drejtimeve të matematikës së aplikuar dhe në programe të tjera studimi brenda FSHN.
Departamenti mirëpret të gjithë ata studentë që janë të interesuar ta ndërtojnë karrierën e tyre profesionale si në sektorin publik, ashtu dhe në atë privat, në fusha të ndryshme të matematikës së zbatuar dhe kërkimit shkencor.
Historiku i Departamentit të Matematikës së Aplikuar
Krijimi i Departamentit të Matematikës së Aplikuar daton në Janar të vitit 2014.
Përpara këtij viti, historiku i tij përputhet me atë të Departamentit të Matematikës në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, i cili ka fillimet e veta në Dhjetor të vitit 1946, me krijimin e Institutit të parë Pedagogjik 2-Vjeçar në Shqipëri.Në vitin 1957, me krijimin e Universitetit Shtetëror të Tiranës dhe njësisë kryesore të tij FSHN, katedra e matematikës ishte e para në rang universiteti që u angazhua në kualifikimet pasuniversitare dhe kërkim shkencor. Në varësi të Fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe veçanërisht degës së matematikës, u krijua në vitin 1971 Qendra e Matematikës Llogaritëse.
Hapat e parë të integrimit të disiplinave të matematikës së aplikuar në programet e matematikës nisin në fillim të viteve ’70 (si për shembull mbajtja e një kursi të plotë në Teorinë e Grafeve, 1972). Dega e matematikës u riorganizua në vitin 1987 duke shtuar katedrat e Probabilitetit/Statistikës dhe Matematikës së Zbatuar. Kjo e fundit më pas u nda në dy katedra të veçanta, ajo e Analizës Numerike dhe e Kërkimeve Operacionale. Ishin pikërisht këto tre katedra/profile që më pas do të ndërtonin bazat për krijimin e programit të studimit Inxhinieri Matematike dhe Informatike në vitin 2005 dhe Departamentit të Matematikës së Aplikuar.
Përgjegjësit e Departamentit të Matematikës së Aplikuar ndër vite:
(2014-2015) Prof. Dr. Fatmir Hoxha
(2015-2016) Prof. Asoc. Eglantina Kalluçi
(2016-2020) Prof. Dr. Fatmir Hoxha
(2020-2024) Dr. Eva Noka
(2024-vazhdim) Prof. Asoc. Aurora Simoni
Departamenti i Matematikës së Aplikuar sot
Aktualisht, departamenti ynë ka 14 punonjës efektivë prej të cilëve:
• 1 Profesor,
• 4 Profesorë të Asociuar,
• 5 Doktorë Shkencash,
• 3 Asistent Lektorë
dhe 1 personel ndihmës mësimor-kërkimor.
Objektivat e Departamentit të Matematikës së Aplikuar
• të përgatisë studentët me njohuri bazë dhe të thelluara profesionale në fushën e matematikës së aplikuar dhe shkencave kompjuterike.
• të formojë specialistë me kompetenca në fushën e matematikës së aplikuar si në probabilitet, statistikë, analizë numerike, kërkime operacionale etj.
• të aftësojë studentët në përdorimin e software-ve dhe programim në fusha të ndryshme të ekonomisë (jo vetëm) të aftë të hyjnë menjëherë në tregun e punës.
• të nxisë punën kërkimore-shkencore të studentëve në cikle të ndryshme studimi dhe të pjesëtarëve të departamentit.
• të zgjerojë kulturën e aftësimit të studentëve me mënyra të reja të të menduarit, konceptuarit të situatave, analizuarit të fakteve dhe zgjidhjes së problemeve.
• zhvillimin e aftësisë së studentëve për të menduar në mënyrë kritike dhe për t`u bërë pjesëtarë të dobishëm të komunitetit në zhvillimet e tij demokratike.
Aktivitete Shkencore
(5-6 Dhjetor 2014) - International Conference on Statitistics, Probability and Numerical Analysis (SPNA-2014).
(3 Dhjetor 2015) - International Conference on Statitistics, Probability and Num. Analysis, Part II (SPNA-2015).
(11-12 Dhjetor 2015) - 1-st International Conference Mathematics Days in Tirana.
(5 Dhjetor 2016) - Workshop “Aspekte të Kërkimit në Matematikën e Aplikuar" (AKMA-2016).
(25 Tetor 2018) - Leksion i hapur “OPTIMISATION IN ACTION), Prof. Jose Soeiro Ferreira, Department of Engineering and Industrial Management, University of Porto.
(21 Janar 2020) - Leksion i hapur “Getting Into Info Sec: Real World Overview” nga Daniel Bohannon, Principal Applied Security Researcher, Advanced Practices Team.
(15-16 Tetor 2021) - Workshop në kuadër të projektit “THE POWER SHKENCA E TË DHËNAVE DHE TEKNOLOGJIA” (Power 2021).
(14 Shkurt 2022) - Leksion i hapur “SAS Academic Programs”, Stefanos Kechagias, SAS Education & Academic Programs Manager, SE Europe.
(14 Mars 2022) - TIMath-Tirana International Day of Mathematics.
(11-15 Prill 2022) - “Learning Mobility” për studentët e ciklit të dytë, ciklit të tretë dhe stafit akademik në kuadër të programit Ersamus+ dhe marrëveshjes ndër-institucionale bilaterale (2021-2027) me Universitetin IMT MinesAlès në Francë.
(18-29 Korrik 2022) - CIMPA Summer School 2022 “Mathematical Methods in Data Analysis”.
(15-16 Dhjetor 2022) - The Power 2022 Workshop “Shkenca e të Dhënave dhe Teknologjia”.
(02-07 Shtator 2024) - GEM-SILKWAY SUMMER SCHOOL TIRANA 2024.
Në bashkëpunim me Shoqatën e Matematikës dhe Departamentin e Matematikës organizon çdo vit Konkursin “Kangaroo Albania” me pjesëmarrjen e mijëra nxënësve nën drejtimin e dhjetëra e më shumë mësuesve të matematikës, duke e rreshtuar vendin tonë në këtë lëvizje masive botërore.
Gjithashtu si pjesë e Departamentit të Matematikës në të shkuarën janë organizuar:
Shkolla verore 2012 - “Summer School Statistics and Computing, R systems for statistical computing and graphing”.
(1 qershor 2012) - Workshop “Numerical Methods and Parallel computing using MPI”.
Laboratori i Departamentit të Matematikës së Aplikuar
Laboratori i Inxhinierisë Matematike dhe Informatike (Lab. Nr. 301) ndodhet në godinën C, kati i tretë. Laboratori me një sipërfaqe afro 35.6 m2, ka 20 kompjutera desktop të pajisur me software bashkëkohorë që shërbejnë për realizimin e zbatimeve praktike të njohurive të marra teorikisht në fushën e matematikës së aplikuar.
Në ndihmë të seancave laboratorike është vënë në punë një klaster i përbërë nga 9 procesorë me karakteristikat e mëposhtme: 9 PC (1 kryesori (masteri) dhe 8 njësi procesuese (slave)). Secila njësi ka këto parametra CPU Model: Intel(R) Core(TM) i5-3440S Core: 4 Speed: 2.90 GHz RAM: 4 GB HDD: 256 GB Sistem Operativ: Ubuntu 18.04 (Linux) Librari paralelizimi: OpenMPI, MPICH. Librari të tjera: Secure Shell, Network File System 1-Monitor +tastier + maus që janë lidhur me master PC për raste të diagnostifikimeve të klasterit.
PC master ka dy karta rrjeti, një të brendshme dhe të jashtme që do na japë mundësi që kërkuesit të lidhen në distancë dhe të përdorin klasterin nga shtëpia/puna. Klasteri është lidhur me një switch tp-link 16-Port Gigabit. Të kombinuara këto PC formojnë 36 core individuale që mund të ekzekutojnë deri në 36 detyra në MPI, në total ka 36 GB RAM dhe 2TB + HDD së bashku. Ky klaster mund të klasifikohet si hibrid (multi-process, multi-threading ose të dyja së bashku mund të kombinohen për të zgjidhur problemet). Aktivizimi i këtij klasteri, si dhe fakti që aftësitë e kolegëve të departamentit janë zhvilluar e pasuruar në njohjen, zotërimin e përdorimin e paketës MPI, e cila siguron implementimin e algoritmeve numerike në një mjedis paralel, janë komponentët kyç për nismën e ndërmarrë në ideimin e këtij projekti. Përdorimi i ideve dhe teknikave të paralelizmit përbën aktualisht një drejtim kërkimi shkencor të rëndësishëm dhe me shtrirje në shumë fusha të shkencës.
Laboratori gjithashtu është i pajisur me të gjitha aparaturat didaktike për zhvillim cilësor të seancave laboratorike. Të gjitha ambientet e laboratorit dhe pajisjet kompjuterike mirëmbahen nga stafi ndihmës-akademik i cili ka kualifikimin dhe eksperiencën e duhur për përdorimin e tyre.
Orët e seancave laboratorike zënë një peshë të konsiderueshme në programet e secilit cikël. Numri i studentëve në një grup laboratori është 10-15 studentë në mënyrë që të kenë hapësirën dhe mundësinë për t’u praktikuar. Orët e laboratorit janë një domosdoshmëri që nxisin tek studentët të kuptuarit kritik të teorive dhe parimeve akademike të fushës.