Në kuadrin e përgatitjeve për Edicionin e 27-të të Olimpiadës Ballkanike të Matematikës për të Rinj, Junior Balkan Mathematics Olympiad – JBMO 2023 (jbmo2023.al), komiteti organizator bën thirrje për vullnetarë të cilët do të mbështesin realizimin e programit të kësaj olimpiade.
Kjo ngjarje do të zhvillohet nga 23 deri më 28 Qershor 2023 në vendin tonë nën përgjegjësinë e Shoqatës Shqiptare të Matematikës-AMA (www.ama.org.al) dhe me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.
JBMO 2023 realizohet vullnetarisht nga AMA, i vetmi institucion në vend që ka të drejtat e përfaqësimit në konkurrimet e rangut ndërkombëtar dhe organizimit të konkurrimeve të këtij niveli në Shqipëri.
Është hera e 4-t në 24 vite që Shqipëria merr përsipër organizimin e një ngjarjeje të nivelit rajonal dhe ndërkombëtar në lëmin e Matematikës. Më parë Shqipëria ka organizuar një JBMO (2008) dhe dy BMO (2003 & 2016). Në kuadrin e JBMO 2023 shoqata do të presë në qytetin e Tiranës mbi 160 nxënës të talentuar dhe trainuesit e tyre nga 19 shtete të Ballkanit dhe më gjerë, të cilët do të konkurrojnë në këtë fushë.
Me këtë rast shoqata kërkon mbështetjen e kësaj ngjarjeje me shërbim vullnetar me angazhim të plotë ose të pjesshëm. Nëse jeni të interesuar regjistrohuni brenda datës 14/06 në:
https://docs.google.com/forms/d/1JVcj91JpUCkGtwJzpy4wJEHvZXMJ6YhROTHHYYQWHDo/edit?chromeless=1
Me datë 16/06 AMA do të organizojë një takim në Zoom për të përcaktuar rolet, detyrat dhe përfitimet e vullnetarëve.
Ju mirëpresim!
KOMITETI ORGANIZATOR
i Olimpiadës së 27 Ballkanike të Matematikës për të Rinj (Junior Balkan Mathematics Olympiad) 2023