Departamenti i Kimisë Industriale, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës, është Departamenti i vetëm ndër të gjitha departamentet e tjera të universiteteve publike dhe private që është i specializuar në mësimdhënien dhe kërkimin shkencor në fushën e teknologjisë kimike organike, inorganike, inxhinierisë kimike, teknologjisë ushqimore e mikrobiologjisë. Misioni i tij mësimdhënës e shkencor fokusohet në këto drejtime kryesore:
Përgatitja e specialistëve për degë të ndryshme të industrisë kimike
- Rritja e nivelit të cilësisë së mësimdhënies
- Konsolidimin e mjaft arritjeve të punës shkencore në fushat e studimit të Departamentit, si dhe zgjerimi i tyre, sidomos në fushën mjedisore
- Kualifikimi i punonjësve mësimor dhe stafit ndihmës pedagogjik, si dhe përmirësimi i teknikave të mësimdhënies me anë të përdorimit të pajisjeve dhe teknikave audiovizive bashkëkohore
- Publikimin e punimeve shkencore që kryhen në Departament ose në bashkëpunim në revista të njohura të vendit ose në buletine periodike të huaja.
Për të arritur këto objektiva në tërësi e të tjera specifike sipas seksioneve të Departamentit të Kimisë Industriale, janë vënë detyra dhe objektiva afatshkurta e afatgjata, ku ndër më kryesoret renditen:
Rritja e shkallës së përvetësimit të dijeve nga ana e studentëve me anë të përmirësimit të teknikave dhe metodikës së mësimdhënies
- Nxitja e të mësuar aktiv dhe në mënyrë të pavarur, duke i dhënë përparësi realizimit të punëve laboratorike, projekteve e detyrave të kursit dhe sidomos punimeve të diplomave.
- Mbajtja dhe forcimi i lidhjeve të krijuara midis Departamentit të kimisë Industriale me departamente të tjera, brenda dhe jashtë vendit, me qëllim të shkëmbimit të përvojës në fushën e mësimdhënies dhe kërkimit shkencor
- Rritja e numrit të kandidaturave për Doktoraturë në fushat e studimit që mbulon Departamenti dhe të afërta me to.