Historiku Fakultetit

Fakulteti i Shkencave te Natyres

Fakulteti i Shkencave të Natyrës (FSHN) është njësi kryesore e Universitetit të Tiranës që në krijimin e tij në vitin 1957. Ai u krijua mbi trashëgiminë e Institutit të Lartë Pedagogjik të Tiranës, 4 vjeçar (1951-1957), i cili ishte institucioni i parë në Shqipëri për përgatitjen e mësuesve me arsim të lartë, si edhe mbi organizimin e disa katedrave e sektorëve të Institutit të Shkencave dhe atij Politeknik.

FSHN që në krijimin e vet dhe deri tani është qendra kryesore në Shqipëri për përgatitjen e specialistëve të lartë në matematikë, fizikë, kimi, kimi industriale, biologji, bioteknologji e informatikë si edhe një nga institucionet më të rëndësishme të vendit për përgatitjen e mësuesve për shkollat e mesme.

FSHN organizohet në tetë departamente: Departamenti i Biologjisë, Departamenti i Bioteknologjisë, Departamenti i Fizikës, Departamenti i Informatikës, Departamenti i Kimisë, Departamenti i Kimisë Industriale, Departamenti i Matematikës, Departamenti i Matematikës së Aplikuar dhe Qendra Kërkimore e Florës dhe Faonës.

FSHN në përputhje me objektivat e Universitetit të Tiranës, synon arsimimin e lartë të studentëve vendas e më gjerë, studimet dhe specializimet e mëtejshme, kërkimet shkencore  dhe veprimtaritë mbështetëse  në fushat e shkencave tënatyrës.

Misioni i FSHN është përgatitja e individëve të kualifikuar në fushat e shkencave natyrore dhe mësimdhënies së tyre duke krijuar, zhvilluar dhe transmetuar njohuritë nëpërmjet mësimdhënies dhe kërkimit shkencor, duke kultivuar lirinë dhe diversitetin e ideve, për ndërtimin dhe konsolidimin e shoqërisë demokratike.

Përçimi tek studentët i njohurive të nivelit bashkëkohor universitar, të përditësuara këto në fushat e shkencave të natyrës, i pajisin ata me njohuri të cilat u japin mundësinë për të vazhduar studimet e thelluara në disiplinat e shkencave të natyrës, brenda ose jashtë vendit ose të dalin në tregun e punës si specialistë të kualifikuar.