Mbi shkollën verore ndërkombëtare të organizuar nga Universiteti i Prishtinës
Universiteti i Prishtinës ka hapur thirrjen për staf akademik lidhur me Shkollën verore ndërkombëtare. Kjo shkollë verore (PISU) do të organizohet nga Universiteti i Prishtinës në bashkëpunim me donatorë dhe partnerë të ndryshëm. Qëllimi i PISU është krijimi i lidhjeve të drejtpërdrejta me universitetet rajonale dhe ndërkombëtare, si dhe avancimi i metodologjisë së mësimdhënies dhe rritja e kapaciteteve kërkimore - shkencore. Shkolla verore ndërkombëtare e Prishtinës mbledh akademikë, profesorë dhe studentë nga e gjithë bota, që synojnë shkëmbimin e ndërsjellë të përvojave të tyre akademike me mundësinë për të mësuar më shumë mbi Kosovën.
Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” do të organizojë edicionin e 20 - të të kësaj Shkolle në datat 11 - 22 korrik 2022. Shkolla do të ofrojë 14 lëndë të kredituara që mbulojnë një gamë të gjerë fushash studimore si: shkencat sociale, juridike, ekonomia, arti, arsimi, mjekësia, inxhinieria, gjuhësia, agronomia, arkeologjia etj.
Aplikimi i stafit të interesuar kryhet përmes plotësimit dhe dërgimit të formularit të vënë në dispozicion nga Universiteti i Prishtinës.
Kriteret e përzgjedhjes gjithashtu do të vendosen nga Universiteti i Prishtinës.
Pagesa për profesorët e përzgjedhur do të jetë 700 Euro, për të gjithë kursin. Universiteti i Prishtinës nuk mbulon siguracionin shëndetësor, por mbulon biletën e udhëtimit, akomodimin në konvikte dhe vaktet në restorantet studentore.
Më shumë informacion mbi këtë aktivitet gjendet në linkun: https://uni-pr.edu/page.aspx?id=1,39,1541
Application Form PISU 2022.docx | 24.01.2022 |