GEM - SILKWAY Summer School Tirana 2024

 

GEM - SILKWAY Summer School Edicioni i 14-të, vjen këtë herë në Tiranë në datat 02-08 Shtator 2024. Departamenti i Matematikës së Aplikuar, Departamenti i Kimisë Industriale dhe Departamenti i Fizikës në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, në bashkëpunim me Universitetin Bicocca të Milanos (Itali) dhe Universitetin Santiago de Compostela (Spanjë), organizojnë shkollën verore me temë “ENERGY TRANSITION IN EUROPEAN COUNTRIES”.

Kjo temë kërkon një diskutim të gjerë të bazuar në aspekte teknike së bashku me faktorët ekonomikë, kulturorë, historikë dhe socio-ekonomikë. GEM-SILKWAY EDITION 2024 (www.gem.unimib.it)  kontribuon në njohuri dhe u ofron studiuesve të rinj, studentëve të diplomuar, studentëve të doktoraturave dhe profesionistëve në Shqipëri, një panoramë të gjerë të politikave energjetike të ndërmarra posaçërisht në Evropën Lindore, tendencat e reja në prodhimin e energjisë (të rinovueshme dhe konvencionale) apo ndërtimin e modeleve financiare, matematikore dhe statistikore për tranzicionin e energjisë. 

Në veçanti temat e trajtuara në këtë shkollë verore janë tema shumë të përshtatshme për kërkuesit shkencorë në Departamentin e Matematikës së Aplikuar, Departamentin e Kimisë Industriale dhe Departamentin e Fizikës në Universitetin e Tiranës:

  • Parimet themelore të energjisë: dielli dhe era, financa e energjisë, modelimi i prodhimit hidrologjik. 
  • Ekonomia botërore e fokusuar në skenarë mbi energjinë dhe energjinë e gjelbër.
  • Sfidat e varfërisë energjetike.
  • Modelimi ekonomik dhe financiar për tranzicionin energjetik.
  • Tranzicioni i energjisë në vendet e Europës Lindore. 
  • Modelimi gjeografik i energjisë përmes modeleve matematikore dhe statistikore.

Shkolla verore është planifikuar të zhvillohet javën e parë të muajit Shtator 2024 dhe leksionet do të mbahen në gjuhën angleze, pasi do të ketë pjesëmarrës nga e gjithë bota. Në fund të seancave trajnuese studentët do të testohen për njohuritë e marra me anë të një prezantimi për të vënë në punë aftësitë praktike dhe zbatuese të marra nga konceptet teorike. Universiteti Bicocca i Milanos do të sigurojë një Certifikatë Pjesëmarrje me 3 ECTS për të gjithë pjesëmarrësit që do të plotësojnë kërkesat e programit.

Shkolla verore gjithashtu parashikon edhe elementë kulturorë dhe turistikë për ti dhënë mundësinë lektorëve dhe studentëve ndërkombëtarë të njohin dhe admirojnë kulturën dhe traditat shqiptare.

Aplikimet për shkollën verore bëhen online në link-un:

https://summerschoolbicocca.com/24_gem-tirana.php 

Afati për aplikim: 30 Prill 2024

Kuota për studentët vendas është 10-15 studentë. Aplikantët e përzgjedhur nga Shqipëria nuk kanë tarifë regjistrimi në shkollën verore GEM-SILKWAY EDITION 2024. Përzgjedhja do të bëhet në bazë të CV-së dhe një letre motivimi. Njohja e gjuhës angleze është e detyrueshme.


 

Të ngjashme

...